Tuesday, December 13, 2011

Rrok Mirdita sipas Ungjillit


Alfred Lela


Paraqitja

Ta pranojmë. Takimi me një njeri të Zotit vjen me njëfarë parehatie. E di se në ligjërimin e tyre edhe ti je njeri i Zotit, por shelbimi kërkon më shumë se një Ave Maria. Bota e tyre gjithë dritë, sipas teje, askund nuk përputhet me tënden e cila vazhdimisht është në kërkim të ekzorcizmit i cili, po ashtu kërkon ndërmjetësimin e tyre. E njëjta ndërdyshje të kaplon para takimit me Monsinjor Rrok Mirditën, arqipeshkv i Tiranës dhe Durrësit.
Është e martë 1 nëntor, Dita e Gjithë Shenjtëve dhe Monsinjori i gëzohet një dite tjetër. Kur e pyes a pushojnë njerëzit e Zotit, ma kthen se në fund të nëntorit do të udhëtojë për në Amerikë ku jeton familja e tij dhe kjo do t’i shërbejë edhe si kohë pushimesh. Në një skrivani të madhe ngjyrë mohagan shfaqen krenarë dy flamuj: i kuqi me shkabën e zezë dykrenëshe dhe tringjyrëshi me 50 yjet e shteteve amerikane. Sigurisht, në mes tyre qëndron skulptura e një kryqi. 

Edhe më i madh se simbolet e dy shteteve i ngjan një mali mes dy kodrash. Ndoshta është aty si për të thënë se në botën e një kleriku shpirtërorja ngrihet më lart se konvencionet. “I pari më ka zgjedhur, - thotë për flamurin shqiptar, - ndërsa të dytin, amerikanin, e kam zgjedhur”. Është qytetar amerikan dhe ka jetuar në Tokën e Mundësive për më shumë se 20 vjet. Ende i ruan kujtimet e kohëve amerikane: qendrën katolike në Bronx dhe në famullinë në Hartsdale. Tani Katedralja e Shën Palit në Tiranë është streha e tij e re. Kjo ngrehinë është shenjë jo vetëm e asaj sesi ka lëvizur komuniteti katolik, por gjithë Shqipëria bashkë me të. Edhe kujtimet e kohëve shqiptare po i afrohen vitit të njëzetë. Por Imzot Rrok Mirdita nuk i mat me vite, por punë të mira ditët e tij mbi këtë tokë. Flet sesi kanë ecur gjërat që nga viti i largët 1993, kur seli e tij u bënë ndërtesat prej druri që njiheshin si ‘vilat gjermane’. Mbi ne dëgjohen kumbonat. Gjërat, me sak, kanë lëvizur në këtë vend. Sido që t’i masësh, me vite a me punë. Hera e fundit e kumbonave ishte viti 1967. Atë vit ato u zëvendësuan me çangat që zgjonin çdo mëngjes repartet ushtarake dhe punëtorët e fabrikave. Kur pushoi kumbona e ia nisi çanga, filloi edhe lindja e Njeriut të Ri e vdekja e Njeriut të Lirë.



I. Gjeneza

Rroku, i biri i Kolës dhe Lulës, u lind më 28 shtator 1939 në fshatin Kllezën të Malit të Zi, një fshat katolik shqiptar i mbetur në Republikën e vogël sllave të jugut pas copëtimit të trojeve shqiptare nga Konferenca e Londrës. U lind në ndërkohën kur mbi botë po binte qielli i plumbtë i Luftës së Dytë Botërore. Bota u bë kështu një fshat në luftë, por asokohe, fëmijë, ai kuptonte më shumë nga katundi i tij sesa nga bota. Dinte kishën e Këlleznës dhe rrënojat e kishave të Shasit, Arrën e Madhe nën hijen e së cilës recitonte Fishtën dhe shtigjet që të çonin në shkollën fillore; edhe kjo në një fshat tjetër. Aty, në atë fshat shqiptar të shndërruar në fshat ndërkufitar, rrodhën, fëminore, vitet e para të jetës. Më vonë e mësoi edhe kuptimin e emrit të fshatit të tij të lindjes. Këllezën vinte nga kishat e shumta të fshatit dhe ishte një bastardim i latinishtes ecclesiae. Ish lindur në një fshat me kujtime kishash dhe ndoshta ato, trusnia e familjes dhe meshat e të dielave e shtynë Rrokun fëmijë drejt veladonit. Nëse ai nuk e mban mend kështu gjithë këtë, dëshmon edhe më shumë se kjo ish thirrja për të. Prej atje nalt.

II. Pagëzimi

Pagëzimin nuk ka si ta mbajë mend. Por, mund ta imagjinosh skenën në një kishë të vogël katolike në Këllezën të Ulqinit: ujin që rrjedh i kthjellët dhe i shenjtë mbi kryet e vogël të kërthiut. (Duket sikur ka një lidhje mes qashtërsisë së atij uji dhe kthjelltësisë me të cilën fjalët rrotullohen e bëjnë ligjëratë në gojën e priftërinjve katolikë shqiptarë.) Prindërit janë aty: Kola është krenar se në derë të kishës hyn edhe një Mirditë tjetër; ndërsa Lula, se fëmija që sot e tej asht n’dor t’Zotit. Të pagëzohesh që fëmijë është sikur të mungosh në pagëzimin tënd: vetëm fizikisht e ndien atë. Pas të rrëqethurës nga uji i ftohtë pagëzimi vjen si shenjë nga prindërit apo si një shënim në librat e kishës. Por fëmija që bëhet prift zgjedh ta përsërisë pagëzimin e tij nëpërmjet pagëzimeve të të tjerëve. Sa herë uji i kthjellët rrjedh prej enës së argjendit mbi krye fëmijësh, Imzot Rrok Mirditës duhet t’i shkojë mendja në fshatin e lindjes, në Këllezën, dikur në vitin e largët 1939.

III. Të nxënët

Rroku fëmijë vazhdoi të jetonte në Këllezën, fshatin e kujtimeve me kisha, por Këllezna tani ishte në Jugosllavi. Vitet e shkollës përkuan edhe me ardhjen në pushtet të komunistëve. Po ndesheshin kështu në botën e fëmijës që donte të bëhej prift, dy botë që shtyheshin me njëra-tjetrën: Komunizmi ateist dhe Krishterimi. I pari u mundua të fitonte mbi të dytin me mjete fizike. I dyti fitoi me metoda shpirtërore. Kur mbaroi filloren dhe shkoi të regjistrohej në gjimnazin e Zarës, drejtori i shkollës, njëkohësisht agjent i UDB-së, refuzoi t’i jepte dëftesën me shpresë se Rroku do të ndërronte mendje sa i takon shkollimit fetar. Kujton: “Vetëm që të shkonim në shkollë duhej të ecnim rreth një orë e gjysmë më këmbë. Kalonim një mal për të arritur te shkolla dhe kjo gjë duhej bërë përditë. Në kohën e dimrit, kur shkurtohej dita, shpesh ktheheshim në shtëpi në mbrëmje. Natën kalonim përrenjtë, rrugët e këqija këmbësore, malin... Në kohë me diell apo me shi, rruga jonë ishte e njëjtë. Në atë kohë nuk kishte as drita. Mbanim ndonjë llambë ose mjete të tjera primitive për të ndriçuar. Por shpesh na mungonte nafta ose vajguri. Vetëm gjatë natës ne mund të përgatiteshim për të nesërmen për në shkollë.” Rrugët e të nxënit e çuan më pas Rrok Mirditën në Fakultetin Filozofik-Teologjik në Zagreb.


IV. Mrekullia e parë

Me Dom Simon Filipajn është njohur kur ishte fëmijë. I kishin shtëpitë ngjitur dhe në Këlleznën e vogël hyrje-daljet e bashkë me to edhe të renë e të veçantën, është e lehtë t’i dallosh. Në vitin 1946, kur Rroku ishte 7 vjeç, Dom Simoni u kthye në fshatin e lindjes pasi kishte përfunduar seminarin 8-vjeçar në Shkodër, duke qenë se kishte nënshtetësi jugosllave. Dom Simon Filipaj, përkthyesi i parë i Biblës në shqip, u bë kështu modeli i tij i parë në jetë. E mban mend si njeri të veçantë, të dashuruar me Shkodrën dhe Shqipërinë. Kujton gjithashtu netët e gjata të dimrit, kur të gjithë mblidheshin dhe dëgjonim Dom Simonin tek recitonte, tregonte ndodhi e histori të ndryshme. Edhe më interesant bëhej kur deklamonte Lahutën e Malcis, së cilës i dinte përmendësh gjysmën e vargjeve. Për Rrok Mirditën, Dom Simon Filipaj, me oratorinë dhe diksionin e kthjellët, ishte dritarja që shihte nga gjërat e epërme. Dëshira për t’u bërë prift u forcua edhe më shumë pas takimeve më të shpeshta me Dom Simonin. Ai u bë modeli udhëheqës, jo vetëm shpirtëror, por edhe i shqiptarit të plotësuar. Nëpërmjet Dom Simonit, Rrok Mirdita kërkonte edhe t’i shpëtonte veçimit e diskriminimit të shqiptarit në Jugosllavi. U thoshin se ishin të barabartë me të tjerët, por nuk e ndiente këtë. Këtë barazi për shqiptarët e kërkonte te Krishti. 

 V. Largimi

Atij iu kërkua të ikte, të shpërngulej bashkë me grigjën e vet. Jo si shenjë e heqjes dorë, por si shenjë e vullnetit të Zotit se shqiptari lëviz, vendoset e zhvendoset, por fijet e gjakut të tij nuk shprishen. Ishin vitet ’70, kur shqiptarët e Malit të zi shpërnguleshin nga Jugosllavia në kërkim të ëndrrës së tyre. Shkonin fillimisht në Itali për të plotësuar dokumentet e për t’u hedhur në Amerikë: në New York e Detroit, kryesisht. Me rritjen e numrit të emigrantëve nga këto treva shqiptare, Dom Zef Oroshi i kishës katolike shqiptare ‘Zoja e Këshillit të Mirë’ në New York kishte nevojë për ndihmë. Besimtarët qenë shtuar, ashtu si vitet në pemën e jetës së tij. Kardinali Cook i shkroi një letër Arkipeshkvit të Tivarit, ku i kërkonte një prift për në New York. Pas një procedure që zgjati dy-tre vite, Arkipeshkvi i Tivarit zgjodhi Dom Rrok Mirditën. Vitet në New York i kujton si më të veçantat. Ai nuk ishte vetëm prifti që mbante në rend punët e shpirtit, por edhe meshari i misionit kombëtar. Kisha e tij ishte qendër kulture përveçse strehë përshpirtjesh. I mban mend tek vinin të gjithë: katolikë, muslimanë e ortodoksë dhe po ashtu si të gjithë bashkë ndihmuan që shqiptarët të ngrinin kishën e tyre prestigjioze në Hartsdale.    

VI. Rikthimi

Shqipërinë e vizitoi së pari në vitin 1991, gjatë një udhëtimi të rastësishëm, teksa ndodhej në Mal të Zi. Një mik i ofroi të hidheshin matanë kufirit. Shqipëria sapo kishte filluar të dilte nga mjegulla e terrorit komunist dhe të hapej ngadalë me botën. Rikthimi i madh do të ndodhte dy vjet më vonë, kur mori një telefonatë nga Kardinali i New York-ut, O’Conor, i cili iu drejtua me fjalët Shkëlqesi... I tha se Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II, e kishte emëruar arkipeshkv të dioqezës Tiranë-Durrës. Ishte Krishtlindja e vitit 1992 dhe ai ishte 53 vjeç. Shqipërinë e gjeti mes rrënimit shpirtëror dhe material. Ipeshkvia u vendos te ‘vilat gjermane’. Nuk mund t’i shpëtonte krahasimit mes New York-ut dhe Tiranës, kishës në Bronx dhe strehës së përvuajtur shqiptare. Nuk mund të mos i kujtoheshin gjithashtu përgëzimet e shumta të kolegëve në New York teksa i thoshin se ai ishte arkipeshkv i kryeqytetit të një vendi. Por ndoshta te kjo thyerje, te ky rrënim qëndronte edhe thelbi i sfidës së tij dhe të thirrjes që kishte përqafuar. Ai ishte rikthyer në vendin e tij, sepse aty e kishin hedhur  rrugët e Zotit. Të pafundmet.  


VII. Mrekullia e dytë

E kujton kështu atë meshë të parë në tokën shqiptare në fshatin Shkrel të Malësisë së Madhe në vitin 1991: “Besimtarët i afroheshin kishës si përrenj me ngjyra”. Ajo përballja e fillimit Komunizëm-Krishterim ishte në shkëmbimet e fundit. Njëra palë ishte në grahma e tjetra po ringjallej. Enver Hoxha kish bërë shumë për ta zëvendësuar Zotin me kultin e tij, por ata përrenj me ngjyra që përshkruan Monsinjor Mirdita ishin dëshmi se beteja qe humbur. Ata vinin në trumba te kisha e fshatit, ose më saktë te rrënojat e saj, e ndiznin qirinj. Kundërmimi i tyre kishtar përzihej me ajrin e atyre maleve, ku katolicizmi ishte tërhequr për t’u mbrojtur nga turqit, komunizmi e gjithfarë armiku. Aty në Shkrel, mes maleve, hija e të cilëve e bënte edhe më të përshpirtshme skenën, çoi meshën e parë në tokë shqiptare. Këtu i kujtuan për herë të fundit dashamirësisht se bënte mirë të largohej sa më shpejt. Sepse rreziku nuk ishte larguar ende. E kaloi kufirin për t’u rikthyer dy vjet më pas, por mrekullia kishte ndodhur ndërkohë.


VIII. Mrekullia e tretë

Enver Hoxha, shefi komunist që e nënshtroi Shqipërinë me anë të terrorit dhe dogmës, që në krye i shpalli armiqtë e tij më të mëdhenj. Priftërinjtë katolikë në një fjalim i etiketoi si “të përgatitur në shkollat më prestigjioze perëndimore, njerëz që kanë atdhe Vatikanin dhe që janë spiunë të tij”. Hoxha shpalli projektin e farkëtimi të njeriut të ri socialist, ateistin që do të vinte nga një proces manipulimesh. I bashkëngjiti këtij projekti edhe maksimën e famshme rilindase feja e shqiptarit është shqiptaria, duke e nxjerrë, sigurisht, jashtë kontekstit kohor e historik. Monsinjor Rrok Mirdita nuk është dakord me sloganin rilindas të keqpërdorur nga komunistët. Ai nuk e pranon se feja e shqiptarit është shqiptaria. Shqipëria është atdheu im, por jo feja, ngulmon ai. Sipas tij, kjo është e tejkaluar dhe nevoja e shoqërisë së sotme shqiptare është krijimi i njeriut të lirë. Atij që i shpëton vargonjve ideologjikë dhe bën zgjedhjet e veta. Këtu, te vdekja e njeriut të ri dhe lindja e njeriut të lirë, por edhe te ndërmjetësimi i fesë për këtë, qëndron edhe mrekullia e tretë. 

IX. Mrekullia e katërt

Remzi Lani, drejtor i Institutit Shqiptar të Medias, e sheh Imzot Rrok Mirditën si “njeriun e duhur”. “Ka qenë konservatorizmi që e ka ndihmuar katolicizmin shqiptar që të mbijetojë, si gjatë pushtimit turk ashtu edhe në komunizëm”. Por kjo mbyllje në këto kohë të reja mund të jetë bumerang për katolikët shqiptarë, vëren Lani. Shton se Imzot Mirdita është njeriu i përshtatshëm në krye të kishës për ta mundësuar këtë hapje. Monsinjor Mirdita thotë se kjo hapje ka ardhur me Koncilin e Dytë Ekumenik të Vatikanit në vitin 1965, si për të larguar çdo shenjë triumfalizmi nga personi i vet. Është prift në fund të fundit dhe krenia është një prej mëkateve. A është pra Rrok Mirdita mrekullia e katërt, ai që do ta marrë përdore grigjën katolike shqiptare në një botë që rreket të vetidentifikohet? Në një shekull të ri ku sekularizmi, materializmi, disfatizmi, hedonizmi, fatalizmi e plot izma të tjerë rreken për jetë e dominancë. Që ta provosh këtë, duhet të rrosh e të shohësh. Dhe që të shohësh duhet të besosh.  


X. Trashëgimia

Trashëgiminë e Monsinjor Rrok Mirditës mund ta shohësh në kishën Zoja e Shkodrës në Hartsdale, por sidomos në Katedralen e Shën Palit në Tiranë. Arkitektura triangulare e kësaj të fundit u përzgjodh nga ai për të simbolizuar trininë e krishterë të Atit, Birit e Shpirtit të Shenjtë me besimet e shqiptarëve të ndarë në tri degë katolikë, muslimanë dhe ortodoksë. Rrok Mirdita nuk është vetëm këtu shprehës i unitetit. Edhe moton e stemës ipeshkvnore e ka zgjedhur në këtë frymë: Ut unum sint (që të gjithë të jenë një). Për të mos harruar: Ai është shqiptar i Malit të Zi që ka jetuar e punuar në Diasporë, dhe është dërguar në Shqipëri me misionin e ringjalljes shpirtërore. Te ky pluralitet e unitet është trashëgimia e tij dhe te kjo trashëgimi qëndron edhe besimi se Rrok Mirdita është zgjedhja e duhur. Ai që, ashtu si 20 vjet më parë në Shkrel, i sheh tek vijnë “përrenjtë me ngjyra” të atyre që kthehen te Zoti.  Revista Mapo Nr.I
















  


No comments:

Post a Comment