Rrok Mirdita sipas Ungjillit Një profil “biblik” për arqipeshkvin e dioqezës së Tiranës dhe Durrësit, Monsinjor Rrok Mirditën. Rrugëtimi i tij nga fshati i vogël Këllezë në Ulqin për në Zarë, Zagreb e më pas shpërngulja në New York. Viti 1993 dhe emërimi papnor që e ngriti në krye të kishës metropolitane në Shqipëri.
Pyetësori 33 Mustafa Nano: Haxhi Qamilin e përfytyroj së një grua. Drejtori i respublica.al i përgjigjet pyetësorit të MAPO-s; që nga data e çlirimit, te Hamza Kastrioti e Geraldina. Për t’u ndalur te rreziku neo-otoman e ai anglo-amerikan për Shqipërinë. I befasishëm dhe jokonvencional ky “rrëfim” i Muçit.
Dorëshkrim Mbretëresha Geraldinë kujton momentet e fundit te koka e Mbretit Zog. Si vdiq Mbreti i shqiptarëve në ekzil, në një dhomë të trishtë në spitalin francez Foch. Grahmat dhe fjalët e fundit. Pse kërkonte një pistoletë të mbushur nën jastëk. Ceremonia e varrimit dhe detaje të tjera nga autorja britanike, Gwen Robyns.
Historia me foto - Kur Hrushovi vizitonte Shqipërinë. Momente të fiksuara në celuloid përgjatë një vizite të shefit të Lindjes komuniste që zgjati dy javë. Pritja entuziaste në aeroportin e Rinasit dhe frenezia nëpër rrugë. Si e kujton Nikita Hrushovi ngulmimin e udhëheqjes shqiptare për të vizituar vendin e vogël adriatik.
Kjo është MAPO.
Revistë e përmuajshme, e cila vjen tek ju sot me drojën e një sprove, por edhe
me sigurinë e një qëllimi. Ne nuk jemi të parët e as të fundit që kemi
ndërmarrë një nismë të tillë: botimin e një periodiku me kredon e të bërit vend
në treg. Por, ndoshta jemi të parët që synojmë një revistë leximi, edhe pse
ekipi është i përbërë prej gazetarësh dhe qasjet ndaj ngjarjeve e fenomeneve do
të jenë kryesisht gazetareske. Pra, ta themi në krye të herës, ne vijmë tek ju
për t’u lexuar, jo për t’u shfletuar. Dhe, kur themi lexim, kemi ndërmend atë
aktin që u ndodh vetëm botimeve të mira e që ka të bëjë me zhdukjen e konceptit
të kohës. Që do të thotë, në këtë numër të nëntorit 2011, ti i dashur lexues
mund të gjesh diçka edhe në nëntor 2021. Sigurisht, e lehtë nuk do të jetë.
Sigurisht, do të gjesh të meta ndër faqe. Do të gjesh nxitimin e rastit e
rastin e shpërdoruar, por duke qenë të shtrirë në 100 faqe e 12 numra në vit,
do të mundohemi që faqen tjetër e muajin tjetër të jemi më të përkorë. Ky numër
i nëntorit vjen si numër kulturor, kryesisht. Argumenti kryesor është talk-show
politik. A ka shumë prej tij?; A po e dëmton peizazhin mediatik?; A e ka vendin
në prime-time? E të tjera dilema,
përgjigjen e të cilave mund ta gjeni te Argument-Media.
Nëse pyesni se pse kemi vetëm 3 protagonistë të debatit politik, përgjigjemi se
kjo dëshmon edhe njëherë se sa e cekët është kultura e debatit në Shqipëri. Kemi
marrë No Comment, siç kemi marrë edhe
sugjerime që axhenda e të ftuarve të bëhej axhenda e shkrimit të revistës. Mes
luhatjeve kemi arritur tek ai shkrim, i cili nuk pretendojmë të jetë shterues,
por diçka thotë e diçka pret.
Megjithëse MAPO
e re u mbivendoset dy revistave paraardhëse me të njëjtin emër, ne pretendojmë
se vijmë si rishtarë. Jo se historia e kësaj lloj gazetarie fillon me ne, por
se ky botim nuk do të jetë apriori partizan, apriori politik, apriori
gazetaresk. Ne mund të jemi pak nga të gjitha këto, por besojmë se të gjitha
nuancat e të gjitha rrymat do të krijojnë një ylber interesant në 100 faqet e
kësaj të përmuajshmeje që ju fton ta lexoni e të na shkruani. Sinqerisht e
besojmë se lexuesit tanë do të jenë sugjerues më shumë se sikterosës;
dashamirës më shumë se cinikë; bashkëpunues më shumë se negativistë. MAPO është
e juaja, jo vetëm për ta lexuar...